Një person është gjobitur me 1,000 euro për hapjen ilegale të një rruge në Bjeshkën e Lybeniqit, në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Lajmin e ka bërë të ditur deputetja Fitore Pacolli, e cila përmes një postimi ka njoftuar se zyrtarët e parkut, në bashkëpunim me Policinë, kanë dalë në vendin e ngjarjes pas informatave për ndërhyrjen e paligjshme në këtë zonë.
Sipas Pacollit, ndaj punëkryesit është ngritur procesverbal dhe është shqiptuar gjobë mandatore në vlerë prej 1,000 eurosh. Ajo ka bërë të ditur se ky është rasti i dytë i evidentuar në të njëjtin lokacion.


