U.D. e Kryeprokurores së Pejës, Valbona Disha-Haxhosaj, takon zinxhirin komandues të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë
Pejë, 3 nëntor 2026 – Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka mbajtur takim me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefin e operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional, sigurinë publike në kuadër të kompetencës territoriale të Prokurorisë Themelore në Pejë, si dhe trajtimin me prioritet të rasteve të ndjeshme që përfshijnë viktimat, me theks të veçantë rastet e dhunës në familje dhe rastet që përfshijnë të miturit.
Gjatë takimit, U.D. e Kryeprokurores, Valbona Disha-Haxhosaj, ka kërkuar nga zinxhiri komandues i Policisë rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të sigurimit të një qasjeje profesionale, të përgjegjshme dhe në përputhje me procedurat ligjore. Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë, përkushtim dhe vëmendje të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat e dhunës në familje dhe të miturit.

