Shëndetësia e Kosovës, ka shënuar hapa pozitivë për mbikëqyrjen statistikore të sëmundjeve, por dështon aty ku qytetari e ndjen më së shumti: në sigurimin e barnave esenciale, digjitalizimin e sistemit dhe mbrojtjen e xhepit të pacientëve.
Raporti i Komisionit Evropian për shëndetësi për vitin 2026, shpërfaq një kontrast të thellë mes planeve të miratuara nëpër zyre dhe realitetit të zymtë në spitale, shkruan Gazeta Shneta.
Në rrafshin e planifikimit dhe parandalimit, shëndetësia kosovare tregon shenja maturie. Krijimi i 49 qendrave të resurseve shëndetësore në kujdesin parësor gjatë vitit 2025 vlerësohet si një hap i qëlluar për menaxhimin e sëmundjeve kronike si hipertensioni, diabeti dhe astma. Po ashtu, është vlerësuar pozitivisht harmonizimi i mbikëqyrjes për 82 sëmundje ngjitëse sipas rekomandimeve të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe miratimin e Planit të Veprimit kundër Rezistencës Antimikrobike, i cili bazohet në qasjen ndërhyrëse “One Health”.
Megjithatë, ky sukses në monitorim zbehet përballë një rreziku real shëndetësor: rënies së shkallës së vaksinimit. Mbulimi me vaksinën rutinë MMR (fruth, rubeolë, parotit) ka rënë në mënyrë shqetësuese nga 89% në 82%. Edhe më i rëndë mbetet dështimi institucional për të integruar komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ku shkalla e vaksinimit është nën 40%.
Ndërkohë, jetëgjatësia në Kosovë vazhdon të jetë më e ulët se mesatarja e BE-së, ndonëse është shënuar përparim në mbijetesën e fëmijëve, sipas raportit të OKB-së për vitin 2026.
Paratë e tepërta në buxhet, barnat sërish mungojnë
Kritika më e madhe e raportit të Komisionit Evropian për shëndetësinë në Kosovë lidhet me menaxhimin financiar. Ndonëse buxheti për shëndetësi në vitin 2025 arriti në 358.8 milionë euro (3.9% e BPV-së), një pjesë e këtyre fondeve nuk u shpenzuan fare. Teksa, Lista Esenciale e Barnave është përditësuar dhe buxheti për shëndetësi është rritur, Komisioni Evropian vëren se “disa barna esenciale vazhdojnë të mos jenë rregullisht të disponueshme”.
Raporti evidenton gjithashtu se blerja e produkteve shëndetësore nuk bëhet në mënyrë të mjaftueshme dhe strategjike, duke shkaktuar shpenzime joefikase dhe rezultate më të dobëta shëndetësore.




