Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka shpalosur disa nga shumë pikat e planprogramit të tij qeverisës në Lipjan.
Ai ka treguar se një nga prioritet kryesore në qeverisjen e tij do të jetë digjitalizimi i arsimit, ndonëse përkrah arsimit premton edhe shëndetësi të mirëorganizuar e zhvillim ekonomik.
Për t’u kthyer te digjitalizimi i arsimit, Buja thotë se kanë program të qartë, duke treguar se synojnë që të digjitalizohen edhe tabelat e ditarët.
“Kemi një program të qartë në të gjitha fushat dhe kompetencat komunale që e fillojmë me arsimin i cili do të jetë digjital e jo vetëm me tabela smart por edhe me ditarë digjital, kemi ngrohjet alternative për shkollat. Kemi ndërlidhjen e praktikës profesionale me pagesë”, tha ai.
Krahas procesit të digjitalizimit, ai paralajmëron edhe nisjen e një pilot-projekti për mësimin gjithë ditor, duke e konsideruar këtë një hap drejt modernizimit të sistemit arsimor.
“E ka politizuar edhe mësimdhënien dhe realisht kjo do të marr fund sepse fëmijët tanë po përgatiten aty, në rast se politizojmë arsimin si do të përgatiten fëmijët tanë në këtë drejtim kur janë jo profesionalë dhe i marrim për shkak të përcaktimeve politike…Kur komuna të tjera nuk e kanë pas as ëndërr një projekt të tillë, sa isha kryetar kemi ndërtuar 5 shkolla me infrastrukturë për të zhvilluar mësimin tërë ditor dhe ato shkolla janë të ndërtuara, ne do të zhvillojmë pilot projekt se si do të zhvillohet ky mësim në vitet e para për t’u zgjeruar pastaj edhe në shkollat tjera ky nuk është vetëm në aspektin e mësimdhënies dhe mësim nxënies është atraktiv”, theksoi ai.
Buja foli edhe për shëndetësinë në Lipjan, për të cilën tha se “është e organizuar në mënyrë anarkike dhe të paorganizuar në Lipjan që do ta organizojmë shumë mirë, shumica e Qendrave të Mjekësisë Familjare nuk funksionojnë 24 orë dhe kemi një mbipopullim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare”.
“Kemi zhvillimin ekonomik si prioritet i kapitullit të tretë, zonat industriale janë tri zona që i kam shpall në kohën që kam qenë kryetar t’i funksionalizojë ato tri zona. Pjesë e zhvillimit ekonomik do të jetë edhe zhvillimi bujqësor i cili nuk zhvillohet përmes serrave dhe motokultivatorëve, por përmes subvencionimit të projektet të cilat e zhvillojnë bujqësinë“, deklaron kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit.