Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka bërë të ditur qëndrimin e prerë të partisë së saj lidhur me vazhdimin e punimeve në Kuvendin e Kosovës.
Në emisionin DPT te Fidani në Klan Kosova, ajo deklaroi se grupi parlamentar i PDK-së nuk do të pranojë që në seancë të trajtohet asnjë çështje tjetër pa u sjellë dhe diskutuar ligji për Dhomat e Specializuara.
Asnjë deputet i yni nuk do të jetë në Kuvend pa e diskutuar ligjin që ne e kemi kërkuar, është iniciativë që i përgjigjet nevojës që sot e ka Kosova. Po flasim për një ligj, kemi folur, ka folur zotëri Hamza për financim, për mbështetje të krerëve të UÇK-së në procesin gjyqësor. Kemi pritur që së paku qeveria në raste si kjo nuk e dëshmon vetëm me një deklaratë vullnetin e saj politik, por kur cenohen themelet e shtetit, një qeveri normale do duhej të sillej jo vetëm me seriozitet, të dëshmonte gjithë mbështetjen. Prioriteti kryesor i Kosovës sot është vendimi që e ka atakuar shtetin e Kosovës", ka thënë Deliu-Kodra.

