Bashkimi Evropian mund të pezullojë fondet nga paketa prej 1.6 miliard eurosh në hua dhe grante për Serbinë, pasi Beogradi miratoi ligje që, sipas komisioneres për zgjerim Marta Kos, “po gërryejnë besimin” në përkushtimin e vendit ndaj sundimit të ligjit.
Reformat për centralizimin e sistemit gjyqësor, që hynë në fuqi këtë javë, kanë sjellë kritika nga gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët i shohin ato si masa që forcojnë kontrollin e presidentit Alleksandar Vuçiq mbi pushtetin, dobësojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe minojnë përpjekjet e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE.
“Këto amendamente po gërryejnë besimin. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ata në Bruksel që duan të avancojnë me Serbinë ta mbrojnë këtë qëndrim”, tha Kos në komente me email për “Reuters”.
Ajo tha se komisioni është duke rishikuar financimin për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që synon përafrimin e rajonit me rregullat e BE-së dhe, në fund, anëtarësimin e vendeve si Serbia, e cila është përfituese e 1.6 miliard eurove në hua dhe grante nga ky program.
“Këto fonde kanë parakushte të lidhura me sundimin e ligjit”, tha Kos.
