Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se në koordinim dhe bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, janë duke u zhvilluar dy aksione të ndara në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Sipas njoftimit, aksionet po realizohen në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për bastisjen e pesë personave zyrtarë dhe dy personave civilë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Të dyshuarit po hetohen për disa vepra penale, përfshirë “Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkeljen e fshehtësisë së procedurës”, “Marrjen e deklaratave me anë të shtrëngimit”, “Keqpërdorimin e informatës zyrtare”, “Mashtrimin”, “Legalizimin e përmbajtjes së rreme”, “Marrjen e ryshfetit” dhe “Dhënien e ryshfetit”.
