Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar Bashkimin Evropian për, siç thotë ai, standardet e dyfishta në raport me Kosovën dhe Gjykatën Speciale.
Në një postim në Facebook, Behrami ka ngritur pikëpyetje mbi bazën juridike të detyrimeve që BE-ja ia atribuon Kosovës, duke kërkuar sqarime për zbatimin e shkëmbimit të letrave Jahjaga–Ashton të vitit 2014.
Ai ka theksuar se Kosova e ka ratifikuar këtë marrëveshje përmes Ligjit nr. 04/L-274, ndërsa ka vënë në pikëpyetje nëse Bashkimi Evropian e ka miratuar atë sipas procedurave të veta, të përcaktuara në nenin 218 të Traktatit për Funksionimin e BE-së.
Behrami ka kërkuar nga BE-ja të sqarojë bazën juridike mbi të cilën mbështetet kur kërkon nga Kosova respektimin e detyrimeve ndërkombëtare që burojnë nga kjo marrëveshje.
Një tjetër çështje që deputeti i PDK-së e ka vënë në fokus është financimi i Gjykatës Speciale. Sipas tij, ekziston një mospërputhje mes deklarimeve politike të BE-së, e cila e cilëson Specialen si gjykatë të Kosovës, dhe terminologjisë së përdorur në vendimet e saj për financimin.
Behrami i është referuar Vendimit të Këshillit të BE-së (CFSP) 2025/1161, të 5 qershorit 2025, ku, sipas tij, përdoret formulimi “procedura gjyqësore të zhvendosura brenda një shteti anëtar”, pa iu referuar shprehimisht Gjykatës Speciale si gjykatë e Republikës së Kosovës.




