Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që politikanët dhe populli të mos thotë që po dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës pas verdiktit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai nuk deshi të paragjykojë procesin i cili është në fazën e apelit, por ritheksoi që kjo gjuhë nuk duhet përdorur nga politikanët dhe këtë ua ka kërkuar edhe ai vetë.
“Ju lutem, mos e thoni, mos e thoni që dënohet UÇK-ja, sepse s’dënohet UÇK-ja. Ju lutem, kjo nuk bën të thuhet kështu…edhe kështu ua kam kërkuar të gjithë liderëve politikë…edhe kështu e kërkoj vazhdimisht dhe dua të argumentojmë, dhe jam në gjendje të argumentoj me secilin njeri kundërshtar të republikës së Kosovës që UÇK-ja nuk është kriminale”, tha Abdixhiku në Klan Kosova.
“Nuk po nuk po them katër, tre dy, një nuk mund ta paragjykoj procesin sepse është në proces, ju lutem. Por ajo që po them është që duhet nuk bën ta themi këtë gjuhë. Kjo nuk bën të thuhet…kjo gjuhë”.
“Edhe po të ishte ashtu, e që s’është, edhe po të ishte ashtu ne do të duhej të bënim gjithçka që mos mos ta merrnim përsipër këtë autorësi. Kjo gjuhë nuk është e jona”.
Ai përsëriti se ndryshimet në ligjin për Specialen nuk kanë asnjë efekt juridik.
“Të gjithë e kanë ditë se është mashtrim. E gjithë klasa politike e ka ditë që është mashtrim. Ligji nuk zhbën Gjykatën Speciale dhe nuk ka asnjë efekt juridik sepse do të rrëzohet nga Dhomat e veçanta të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë e kemi thënë”, deklaroi Abdixhiku.
Theksoi se rruga e vetme ka qenë dykahore – Apeli dhe Diplomacia.
Reklamë
“Unë besoj që ligji dhe iniciativa për të ndryshuar mandatin e Gjykatava të veçanta i ka bërë dy efekte vetëm dy në fakt tri. Efekti i parë që i ka dhënë cdo argument Bashkimit Evropian që Kosova është shtet joserioz sa i përket qasjes në drejtësi. E dyta ka rënduar procesin për ata në apel sepse ajo mund të interpretohet si ndërhyrje në drejtësi dhe e treta i ka dhënë çdo argument Serbisë të thotë ‘ja shikone me çfarë kam punë’. Unë mendoj dhe ne kemi menduar me plot guxim, me plot bindje, pa frikë por që tani rezonoi në zhurmë dhe s’u dëgjua që rruga e vetme ka qenë dykahore – Apeli ku atakohen argumentet dhe gabimet e pretenduara dhe Diplomacia”, u shpreh ai.



