Policia në Shtime ka identifikuar dhe ndëshkuar një shofer 19 vjeçar, i cili me veturën e tij BMW në rrugën “Tahir Sinani” në drejtim të fshatit Gjurkoc ka vozitur me shpejtësi 193 km/h në zonën ku lejohej 80 km/h.

Shoferi me inicialet D.Q nuk iu bind urdhrit të zyrtarëve policorë për ndalim, por është identifikuar përmes kamerave të sigurisë.

“Për tejkalimin e shpejtësisë, atij i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjetit për gjashtë muaj. Ndërsa për mosbindje ndaj urdhrit policor, është gjobitur edhe me 150 euro dhe një pikë negative. Policia Rajonale në Ferizaj apelon te të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe urdhrat e zyrtarëve policorë, sepse shpejtësia e tepërt rrezikon drejtpërdrejt jetën e pjesëmarrësve në trafik”, ka shkruar Policia.