Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë kanë formalizuar një marrëveshje të re financiare në vlerë prej 1 milion eurosh, me synim zgjerimin e investimeve dhe programeve për kursimin e energjisë në Kosovë.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, mjetet e ndara do të shërbejnë për mbështetjen e veprimtarisë së Fondit dhe avancimin e objektivave të tij në fushën e efiçiencës së energjisë.
Me këtë ndarje, mbështetja financiare e Qeverisë për Fondin, që nga viti 2019, arrin në gjithsej 10 milionë euro.
“Mbështetja për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka qenë e vazhdueshme, ku që nga viti 2019, Qeveria ka ndarë mjete me vlerë totale 10 milionë euro, me qëllim të mbështetjes së fushëveprimit dhe zgjerimit të masave për efiçiencën e energjisë në mbarë vendin”, thuhet në njoftimin e ministrisë.




