Mbi 1.4 miliard euro për subvencione dhe transfere, më shumë se një miliard për paga dhe po aq për investime kapitale.
Këto janë ndarjet kryesore të projektbuxhetit të Kosovës për vitin 2027, i cili parashihet të arrijë në 4.27 miliardë euro.
Projektbuxheti, i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 2 nëntor dhe i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, është rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i vitit 2026, apo 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar.
Ai tashmë i është dërguar Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.
Ku do të shkojë pjesa më e madhe e parave?
Pjesa më e madhe e buxhetit, rreth 1.45 miliard euro, është planifikuar për subvencione dhe transfere – kategori që përfshin pensionet, shtesat për fëmijë, ndihmat sociale dhe forma të tjera të mbështetjes financiare.

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, kjo kategori është rritur për 6.5 për qind krahasuar me vitin 2026, kryesisht për shkak të rritjes së planifikuar të shtesave për fëmijë dhe pensioneve.
Pas saj renditen shpenzimet për paga, me 1.085 miliard euro, apo rreth një të katërtën e buxhetit të përgjithshëm.
Për krahasim, në buxhetin fillestar të vitit 2026 për paga dhe shtesa ishin planifikuar mbi 980 milionë euro.
Për investime kapitale janë paraparë rreth 1.07 miliard euro, krahasuar me 998 milionë euro në buxhetin fillestar të vitit 2026.
Ndërkaq, për mallra dhe shërbime janë planifikuar rreth 589 milionë euro, krahasuar me rreth 545 milionë euro në vitin 2026.
Më shumë mjete janë planifikuar edhe për barna esenciale.
Sipas kryeministrit Albin Kurti, një pjesë e tyre është siguruar përmes përgjysmimit të buxhetit për udhëtime jashtë vendit.
Rritje është paraparë edhe në financimin e komunave, për të cilat janë ndarë 908 milionë euro, krahasuar me 867 milionë euro në buxhetin fillestar të vitit 2026.

Cilat ministri marrin më shumë dhe cilat më pak?
Projektbuxheti i vitit 2027 parasheh rritje të mjeteve për disa ministri, por edhe shkurtime për të tjera.
Ministria e Mbrojtjes pritet të ketë tetë milionë euro më shumë se në vitin 2026, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pesë milionë euro më shumë.
Rritje janë planifikuar edhe për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, me 7.7 milionë euro, dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me rreth 1.9 milion euro.
Në anën tjetër, ulja më e madhe, sipas këtyre krahasimeve, është paraparë për Ministrinë e Ekonomisë.
Buxheti i saj pritet të bjerë nga rreth 79 milionë euro në vitin 2026, në 23.4 milionë euro në vitin 2027 – një zvogëlim prej rreth 55.6 milionë eurosh.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë arsyen e kësaj uljeje, as nga dokumenti i projektbuxhetit dhe as nga Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave.
Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë pritet të ulet, po ashtu, për mbi 1.3 milion euro, ndërsa ai i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës të rritet nga 199 në mbi 217 milionë euro në vitin 2027.
Për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës janë planifikuar rreth dy milionë euro më pak se në vitin 2026, por krahasimi nuk është i drejtpërdrejtë, pasi teknologjia dhe inovacioni nuk janë më pjesë e fushëveprimit të saj.
Çfarë investimesh janë planifikuar?
Për herë të parë, shpenzimet e planifikuara për investime kapitale kalojnë pragun prej një miliard eurosh, duke përbërë rreth një të katërtën e buxhetit.
Sipas projektbuxhetit, investimet do të përqendrohen në përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe energjisë, si dhe të kushteve në arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale.
Ndër projektet që Qeveria ka veçuar, janë: ndërtimi i Unazës së Jashtme të Prishtinës, segmenti rrugor Duhël-Banullë, që lidh dy autostradat kryesore të vendit, si dhe autoudha e Dukagjinit.
Janë paralajmëruar gjithashtu investime në ndërtimin e digave, infrastrukturën sportive për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 dhe zhvillimin e turizmit.




