Skuadra e Ferizajt reagon ashpër: Genc Nuza nuk na la të fitojmë finalen e Kupës!
Skuadra e Ferizajt ka reaguar ashpër pas humbjes në finalen e Kupës së Kosovës ndaj Dukagjinit, duke akuzuar gjyqtarin Nuza për padrejtësi dhe vendime që, sipas klubit, ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes.
Përmes një komunikate zyrtare, klubi ferizajas theksoi se ishte përgatitur maksimalisht për finalen dhe se synimi ishte t’i dhuronte qytetit një trofe historik. FC Ferizaj falënderoi tifozët për mbështetjen e madhe, veçanërisht grupin e tifozëve “Ujqit”, të cilët krijuan atmosferë festive në stadium.
Megjithatë, drejtuesit e klubit shprehën pakënaqësi të madhe ndaj referit kryesor Genc Nuza, duke pretenduar se dy penallti të pastra nuk u akorduan në favor të skuadrës së tyre
Sipas komunikatës, rasti i parë ndodhi pas ndërhyrjes së portierit kundërshtar ndaj kapitenit Betim Haxhimusa, ndërsa rasti i dytë lidhej me një prekje të topit me dorë në fund të ndeshjes.
Klubi gjithashtu kritikoi menaxhimin e kohës shtesë dhe mënyrën e përdorimit të VAR-it gjatë finales. Si shenjë proteste, lojtarët e FC Ferizajt refuzuan të pranonin medaljet e argjendta pas përfundimit të takimit.
Në fund të reagimit, Ferizaj theksoi se do të vazhdojë të luftojë dhe të rikthehet më i fortë, duke deklaruar se “nuk ka forcë që mund ta ndalë një klub që ka pas vetes tifozët dhe krenarinë e tij.”