Lajme

Qëndrim Kryeziu përkujton viktimat e Masakrës së Dubravës: Krimet serbe duhet të marrin dënimin e merituar

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka përkujtuar viktimat e Masakrës së Dubravës, duke bërë homazhe së bashku me të mbijetuarit Nait Hasani dhe Bajrush Xhemaili, si dhe nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku.

Kryeziu ka thënë se Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze të kryera nga forcat paramilitare dhe policore serbe ndaj shqiptarëve të pafajshëm.

“Sot isha së bashku me dy të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës, miqtë e mi të nderuar Nait Hasani dhe Bajrush Xhemaili, si dhe nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku, në nderim të viktimave të këtij krimi monstruoz të kryer nga forcat paramilitare dhe policore serbe, kundër të burgosurve shqiptarë”, ka shkruar ai.

Ai ka rikujtuar se nga 19 deri më 24 maj 1999, mbi 1000 civilë të pambrojtur iu nënshtruan një sulmi çnjerëzor në Burgun e Dubravës, ku 117 persona u vranë dhe rreth 200 të tjerë u plagosën.

“Duke e kujtuar këtë ngjarje, krahas nderimit për të rënët, po ashtu duhet të angazhohemi maksimalisht për sjelljen para drejtësisë të urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve të kësaj masakre makabre”, u shpreh Kryeziu.

Sipas tij, vetëm duke i qëndruar besnik sakrificës së të kaluarës mund të ndërtohet e ardhmja e vendit.

“Vetëm duke i qëndruar besnik sakrificave të panumërta në të kaluarën mund ta ndërtojmë të ardhmen. Sepse vetëm ky parim na ndihmon që edhe në të tashmen të mos kaplohemi nga errësira. Lavdi!”, ka përfunduar ai.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button