“A ka ndonjë nënë që ka tri vajza dhe pastaj një djalë?”, fillon një postim i një nëne në Facebook, i cili vazhdon duke kërkuar këshilla se si edhe ajo të sigurohet që fëmija i radhës i saj të jetë djalë.
Këshillat janë të shumta e të llojllojshme: shiko kalendarin kinez, shpërlahu me sodë buke, ndërroje anën e mitrës, mbet shtatzënë në ditën e ovulimit, konsumo mish viçi dhe burri të pijë më shumë kafe…
Kërkesa të tilla i janë adresuar edhe specialistes së gjinekologjisë, Merita Demiri Demolli, e cila thotë se gjithmonë tenton t’ua qartësojë prindërve se nuk ka metoda natyrale për përcaktim të gjinisë.
“Metodat që qarkullojnë si dieta të caktuara, pozicione gjatë marrëdhënieve apo ‘planifikimi’ sipas ovulacionit, nuk kanë bazë të provuar shkencore”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thekson se përcaktimi i gjinisë, që mund të bëhet shkencërisht përmes fertilizimit të asistuar mjekësor (IVF), bëhet vetëm kur ka arsye mjekësore e jo për “preferenca personale”.
Por, përballë dëshirës për të pasur djalë në familje, shumë prej grave e drejtojnë njëra-tjetrën edhe te një gjinekolog specifik, emrin e të cilit e lidhin me histori të lindjes së djemve pas shumë vajzave në familje.
Gjinekologu të cilit ato i referohen, Riza Malaj, nuk ishte i qasshëm për një koment për praktikat e tij për Radion Evropa e Lirë, pasi u thirr në angazhime të tjera.
REL-i ka tentuar të kontaktojë edhe disa gra që kanë shprehur interesim për përcaktimin e gjinisë së fëmijëve, por, në të shumtën e rasteve, ato shkruajnë në grupe të Facebook-ut me profile anonime, duke e bërë të pamundur kontaktin.
Komente dhe këshilla në një grup në Facebook për përcaktimin e gjinisë së fëmijëve. Në Kodin Penal të Kosovës nuk parashihet ndonjë ndëshkim specifik për vepra që ndërlidhen me praktikat e tilla që pretendojnë të përcaktojnë gjininë e fëmijës me metoda natyrale, e as Ligji për Shëndetësi nuk i përmend ato në mënyrë specifike.
Të vetmet kufizime ligjore janë ato që lidhen me fertilizimin e asistuar mjekësor, pasi që ka një udhëzim administrativ që ua ndalon klinikave shëndetësore seleksionimin gjinor gjatë procedurës së IVF-së.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë për mënyrën se si e monitoron punën e gjinekologëve në këtë aspekt dhe çfarë veprimesh ndërmerr kur konstatohen shkelje nga profesionistët shëndetësorë, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Besarta Breznica, aktiviste për të drejtat e grave nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK), u bën thirrje institucioneve për kontroll më të rreptë të klinikave shëndetësore.
“Kjo është e gjitha shpëlarje e trurit të personave dhe vjedhje legale, nëse jo ilegale”, thotë Breznica për REL-in.
Gjinekologia Demiri Demolli tregon se presioni për të pasur fëmijë të një gjinie të caktuar “mund të ketë ndikim të ndjeshëm si në shëndetin emocional, ashtu edhe në atë fizik të gruas”.
“Kjo qasje mund të çojë edhe në vendime të nxituara apo joetike, të cilat mund të kenë pasoja afatgjata për shëndetin fizik dhe psikologjik të gruas”, paralajmëron ajo.
Por, efektet nuk prekin vetëm nënën, shton Breznica.
“Nëse rritesh si një çikë në një familje ku jeni ndoshta tetë motra dhe prapë është dëshira për të pasur patjetër një djalë… domosdoshmërisht ato ndihen sikur nuk kanë rëndësi dhe vlerë, si sekondare”, thotë ajo.
Sipas saj, ky fenomen po vazhdon të kultivohet edhe te gjeneratat e reja, edhe pse buron nga mendësi më tradicionale.
