Me ardhjen e ditëve më të ftohta, shumë veta pyesin veten se si ta mbajnë apartamentin ngrohtë, pa qenë shumë të larta faturat e ngrohjes.
Ekspertët theksojnë se edhe një ndryshim i vogël i temperaturës mund të ndikojë ndjeshëm në konsumin e energjisë.
Ulja e temperaturës në apartament vetëm me një gradë mund të kursejë rreth shtatë përqind të energjisë së nevojshme për ngrohje. Kjo do të thotë që familjet që e ulin temperaturën nga 22 në 20 gradë mund ta ulin konsumin e energjisë me afërsisht 13 deri në 14 përqind.
Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) dhe Komisionit Evropian, temperatura mesatare në shtëpitë e ngrohura në Bashkimin Evropian tejkalon 22 gradë, megjithëse shumë do të ndiheshin rehat me 19 ose 20 gradë.
Këto vlerësime u botuan në vitin 2022, në një kohë të rritjes së ndjeshme të çmimeve të energjisë në Evropë.
Sipas llogaritjeve të asaj kohe, një familje mesatare në Bashkimin Evropian mund të kursente më shumë se 70 euro në vit për çdo gradë më të ulët të temperaturës. Megjithatë, kursimet aktuale varen nga madhësia e apartamentit, metoda e ngrohjes, zakonet e familjes dhe çmimet e energjisë.
Është e rëndësishme të theksohet se ulja e konsumit nuk do të reflektohet domosdoshmërisht në faturë nëse ngrohja paguhet si një tarifë fikse, për metër katror. Kursimet janë financiarisht të dukshme kryesisht kur familja paguan për energjinë sipas konsumit real.
Cila temperaturë rekomandohet për dhoma të caktuara?
Agjencia Federale Gjermane për Mbrojtjen e Mjedisit (Umweltbundesamt) rekomandon që temperatura në dhomën e ndenjes të mos kalojë 20 gradë.
Për kuzhinën rekomandohet një temperaturë prej rreth 18 gradësh, ndërsa për dhomën e gjumit mjaftojnë afërsisht 17 gradë.
Kur nuk ka njeri në shtëpi për disa orë ose gjatë natës, temperatura mund të bjerë në rreth 18 gradë.
Nëse do të largoheni për disa ditë, rekomandohet ta ulni temperaturën në afërsisht 15 gradë.


