Një trajtim i ri kundër kancerit është përshkruar si “i paprecedent” nga mjekët, pasi ka treguar rezultate premtuese në një provë klinike ndërkombëtare që përfshiu pacientë me forma të avancuara të sëmundjes dhe që nuk kishin reaguar ndaj trajtimeve të tjera.
Sipas Indepedent, bëhet fjalë për injeksionin amivantamab, të zhvilluar nga kompania farmaceutike Johnson & Johnson, i cili u testua në një studim të realizuar në 11 shtete, tek pacientë me kancer që ishte përhapur ose ishte rikthyer pas trajtimeve të mëparshmea.
Sipas rezultateve të publikuara, tumoret janë zvogëluar në më shumë se një të tretën e pacientëve, ndërsa tek 15 prej tyre është raportuar zhdukja e plotë e tumorit vetëm disa javë pas fillimit të trajtimit.
Profesori Kevin Harrington nga Instituti i Kërkimeve për Kancerin në Londër e ka cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm për pacientët që kanë shumë pak mundësi trajtimi, duke theksuar se rezultatet janë “jashtëzakonisht të forta” për këtë kategori të sëmurësh.
Në total, studimi përfshiu 102 pacientë me kancer të kokës dhe qafës, një nga format më të shpeshta të sëmundjes në nivel global.
Nga këta, 43 pacientë kanë shfaqur tkurrje ose zhdukje të tumorit, ku 28 prej tyre kanë pasur zvogëlim të dukshëm, ndërsa 15 janë raportuar pa tumor të detektueshëm.
