Proteinat që qarkullojnë në gjak po shndërrohen në një mjet kyç për të kuptuar më mirë sëmundjet kronike.
Ndryshe nga gjenet, të cilat tregojnë rreziqe të trashëguara, proteinat ofrojnë informacion në kohë reale për proceset që ndodhin në organizëm, përfshirë mënyrën si trupi rregullon energjinë dhe zhvillon sëmundje si diabeti apo problemet kardiovaskulare, sipas “The Independent”.
Një studim i ri, i botuar në revistën “Circulation: Genomic and Precision Medicine” ka analizuar lidhjen mes proteinave të gjakut dhe shëndetit të zemrës. Studiuesit shqyrtuan mbi 45 mijë mostra gjaku nga databaza britanike UK Biobank, duke matur nivelet e disa proteinave që ndikojnë drejtpërdrejt në presionin e gjakut dhe funksionin e zemrës.
Rezultatet treguan se nivelet e këtyre proteinave ndryshojnë ndjeshëm nga një individ te tjetri, në varësi të moshës, gjinisë, stilit të jetesës, përdorimit të barnave dhe prejardhjes.
Kjo përforcon idenë se trajtimet standarde nuk funksionojnë njësoj për të gjithë dhe se mjekësia duhet të bëhet më e personalizuar.
Vëmendje të veçantë mori proteina ACE2, e njohur gjerësisht gjatë pandemisë COVID-19. Përveç rolit të saj në infeksionet virale, ACE2 ndihmon në relaksimin e enëve të gjakut duke neutralizuar substanca që shkaktojnë ngushtimin e tyre, çka kontribuon në uljen e presionit arterial.
