Studimi i ri që është publikuar në JAMA Network Open tregon se anemia te personat mbi 60 vjeç lidhet me rrezik 66 për qind më të lartë për zhvillimin e demencës.
Anemia është një gjendje kur trupi nuk ka mjaftueshëm hemoglobinë, proteina që transporton oksigjenin në organe dhe inde. Zakonisht shoqërohet me lodhje, frymëmarrje të vështirësuar dhe zbehje të lëkurës, por sipas këtij studimi, efektet e saj shkojnë edhe më tej, deri në tru, ka shrkuar MedicalXPress.
Studiues nga Suedia dhe Italia ndoqën për një periudhë të gjatë 2,282 persona mbi moshën 60 vjeçe në Stokholm, të cilët në fillim nuk kishin demencë. Në fillim të studimit, atyre iu mat niveli i hemoglobinës dhe disa tregues në gjak që lidhen me sëmundjet neurodegjenerative. Më pas, gjendja e tyre u monitorua çdo 3 deri në 6 vjet.
Pas më shumë se një dekade të dhënash, rezultoi se personat që kishin anemi në fillim të studimit kishin 66 për qind më shumë gjasa të zhvillonin demencë. Brenda rreth 9.3 vjetëve, 362 pjesëmarrës u diagnostikuan me këtë sëmundje.
Të dhënat kanë treguar gjithashtu një lidhje të fortë mes nivelit të ulët të hemoglobinës dhe rritjes së disa biomarkerëve në gjak që lidhen me sëmundjen e Alzheimerit, përfshirë proteina që tregojnë dëmtim të qelizave të trurit dhe inflamacion. Kjo lidhje ishte më e theksuar te burrat sesa te gratë.
Anemia prek rreth një në dhjetë persona mbi 65 vjeç dhe është lidhur me pasoja të ndryshme për shëndetin, përfshirë rrezik më të lartë për demencë.
Një nga shpjegimet kryesore është se truri merr më pak oksigjen me kalimin e kohës, gjë që mund të dëmtojë qelizat nervore, enët e gjakut dhe të çojë gradualisht në humbje të neuroneve.
Studime të mëparshme kanë treguar edhe tkurrje të trurit dhe dëmtime të indeve te personat me anemi.
Në këtë studim, shkencëtarët përdorën të dhëna nga Swedish National Study on Aging and Care in Kungsholmen për të kuptuar më mirë lidhjen mes anemisë dhe sëmundjeve si Alzheimeri.
