Fitorja e Juventusit ndaj Napolit ka rikthyer diskutimet për potencialin e skuadrës bardhezi, ndërsa ish-sulmuesi legjendar i klubit, Fabrizio Ravanelli, ka veçuar Edon Zhegrovën dhe Kerim Alajbegoviçin si dy futbollistë që duhet të kenë më shumë hapësirë në formacionin e Luciano Spallettit.
Gjatë emisionit “Penna Bianca”, në kanalin e Tuttosport në YouTube, Ravanelli ka theksuar se Juventusit i mungon personaliteti dhe guximi në momente të vështira, duke vlerësuar veçanërisht paraqitjen e Alajbegoviçit, i cili la gjurmë në ndeshjen ndaj Napolit.
“Gjithmonë kemi thënë se Juventusit i mungon personaliteti. Mbrëmë, ndeshjen e vendosi një lojtar 19-vjeçar, prandaj ose e ke personalitetin, ose nuk e ke. Kur isha 17 vjeç, tashmë gjuaja penallti për Perugian në Serie C”, ka deklaruar Ravanelli.

Ai ka vlerësuar jo vetëm golin e Alajbegoviçit, por edhe mënyrën se si mesfushori ofensiv e kërkoi vazhdimisht lojën dhe tentoi të krijonte epërsi numerike.
Në anën tjetër, ish-sulmuesi i Juventusit ka shprehur habinë e tij për minutat e pakta që po merr Edon Zhegrova, duke kërkuar që reprezentuesi i Kosovës të jetë një nga lojtarët kryesorë të skuadrës.
“Nuk mund ta kuptoj pse Zhegrova nuk arrin kurrë ta nisë ndeshjen si titullar. Duhet të sigurohemi që, edhe kur përballemi me vështirësi mendore, të mund të mbështetemi te njëri-tjetri, edhe kur të gjithë të tjerët fshihen. Nëse shkoj në luftë, dua lojtarë të tillë”, ka thënë ai.


