Pas buzëqeshjeve, golave dhe emocioneve të forta në Botëror, Lionel Messi po përjetonte një betejë krejt tjetër në jetën private. Në prapaskenë, kapiteni i Argjentinës ishte i shqetësuar për gjendjen e rënduar shëndetësore të babait të tij, Jorge Messi.
Sipas raportimeve të mediave argjentinase, situata ishte aq serioze sa Messi, gjatë turneut, kishte menduar të merrte një vendim ekstrem: të largohej nga grumbullimi i kombëtares dhe të udhëtonte drejt Argjentinës për të kaluar kohë me të atin.
“Në një moment gjatë turneut, Messi madje mendoi të largohej nga ekipi për të shkuar e për të parë babain e tij, Jorge”, raportoi gazeta argjentinase “Diario Olé”.
Për Messin, Botërori nuk ishte vetëm një mision sportiv. Ndërsa miliona tifozë prisnin prej tij magjinë në fushë, ai jetonte me ankthin e asaj që po ndodhte me një prej njerëzve më të rëndësishëm të jetës së tij.
Jorge Messi kishte kohë që përballej me probleme serioze shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, Lionel mbante kontakte të vazhdueshme me familjen e tij në Rosario për të mësuar rreth gjendjes së babait.
Pas finales ndaj Spanjës, Messi u nis drejt Rosarios për të qenë pranë Jorge.
Raportohet se ylli argjentinas nuk kishte mundur ta takonte të atin për rreth dy muaj, çka e bëri edhe më të rëndësishëm atë moment familjar.


