Granit Xhaka nuk do të luajë te Zvicra në katër ndeshjet e ardhshme. Përfaqësuesja helvetike do të jetë pa organizatorin e lojës në qendër të mesfushës. Kjo mund të jetë mundësi për Ardon Jasharin, që megjithatë, ka dështuar të shfaq më të mirën në fillim të sezonit.
Kështu ka shkruar mediumi zviceran “SRF” të enjten, dy ditë para ndeshjes së Zvicrës me Maqedoninë e Veriut në Shkup.
Maqedonia e Veriut – Zvicra luhet të shtunën nga ora 20:45, ndërsa i takon Grupit 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve.
“SRF” ka shkruar për kandidatët të cilët mund të jenë zëvendësues të Xhakës në mesfushë. Përveç Jasharit, ka përmendur edhe Michel Aebischerin, Djibril Sowin, Fabian Riederin dhe Vincent Sierron.
Për të gjithë ka dhënë nga një shpjegim pse duhet të luajnë.
Për Jasharin, “SRF” ka shkruar se për kohë të gjatë konsiderohet si pasues i Xhakës, për shkak të aftësive dhe lidershipit.
“Megjithatë, 41-vjeçari Luka Modriq qëndron para në rrugën e Jasharit te Milanit. Këtë sezon, 24-vjeçari ishte titullar vetëm në ndeshjen e parë dhe nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit. Në 1/8 e finales në Kupën e Botës kundër Kolumbisë, Yakini e filloi ndeshjen me Jasharin, që kishte rol më sulmues. U zëvendësua pas pjesës së parë. Edhe para ngjarjeve të fundit rreth Xhakës, Yakini ka dhënë sinjale se Jasharit mund t’i jap rolin e titullarit në Ligën e Kombeve”, ka shkruar “SRF”.



