Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka folur për situatën e Edon Zhegrovës, duke shpjeguar arsyet pse ylli i kombëtares së Kosovës nuk po e fiton ende një vend në formacionin titullar të skuadrës torineze.
Pas barazimit 2-2 me Fiorentinën në udhëtim, Spalletti u pyet se pse Zhegrova nuk po aktivizohet nga minuta e parë.
Tekniku italian pranoi se pas ndeshjes së kaluar [Juventus 2-0 Napoli, ku Zhegrova asistoi] kishte menduar që futbollisti kosovar duhej të niste si titullar, por theksoi se ai ende ka vështirësi për të ruajtur të njëjtin nivel në të gjitha aspektet e lojës.
“Ndodhin raste si ai i Zhegrovës. Pas ndeshjes së kaluar mendoja: Duhet të luajë titullar. Ndonjëherë bën minuta të fundit shumë të mira, por kur e aktivizon që nga fillimi, në ndeshje me shumë duele dhe ku duhet edhe të sulmosh, edhe të mbrohesh, humbet disa gjëra”, deklaroi Spalletti.
“Bën mirë një aspekt, por më pak mirë një tjetër. Nuk arrijmë të gjejmë kurrë ekuilibrin e plotë”, shtoi trajneri italian.


