Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemajli, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të sqarojë nëse përfaqësuesit e Listës Studentore nga Serbia kanë marrë leje për të hyrë në Kosovë dhe kush ua ka mundësuar vizitën.
Në një reagim në facebook Xhemajli ka kritikuar deklaratat e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, i cili një ditë më parë ishte shprehur optimist për bashkëpunimin me Listën Studentore dhe gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të ecur drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas Xhemajlit, Rashiç e kishte përshkruar fitoren e kësaj liste si një kthesë “historike e pothuajse revolucionare”, ndërsa kishte kërkuar që çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia të lihej anash për momentin.
Ai ka vënë në pikëpyetje këtë optimizëm, duke rikujtuar qëndrimet e Listës Studentore ndaj Kosovës, të cilën kjo listë e konsideron “pjesë përbërëse të Serbisë”.
“Dhe sot, pa kaluar as 24 orë nga ato deklarata, udhëheqësit e rinj të Beogradit zbarkuan në Kosovë”, ka shkruar Xhemajli.




