Analisti Imer Mushkolaj ka kritikuar projektbuxhetin e prezantuar nga Qeveria e Kosovës, duke thënë se ai nuk reflekton premtimet dhe zotimet që kryeministri Albin Kurti ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore.
Në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini, Mushkolaj ka thënë se qytetarët duhet të kërkojnë llogari për shpenzimin e parasë publike, veçanërisht për importin e energjisë elektrike, për të cilin Kosova ka shpenzuar qindra miliona euro edhe në vitet e fundit.
Ai ka theksuar se duhet të ketë përgjigje se çfarë ka ndodhur me premtimet për sektorin energjetik dhe sektorët e tjerë.
“Mos të harrojmë energjinë, se për energji, jo vetëm sivjet që pritet të harxhojmë qindra miliona, por edhe viteve të fundit kemi harxhuar qindra miliona për import. Kështu që ne duhet me ditë se ku po shkojnë paret tona. Se çka ka ndodhur me premtimet për sektorin energjetik, sikurse çka ka ndodhur me premtimet dhe zotimet për sektorët e tjerë”, ka deklaruar Mushkolaj.



