Lajme

Presidenti i KE-së do të vizitojë Ballkanin Perëndimor, në Kosovë qëndron më 3 qershor

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme, nga 1 qershori deri më 5 qershor, për t’u takuar me liderët e rajonit dhe për të bashkë-kryesuar Samitin BE–Ballkani Perëndimor që mbahet në Tivat të Malit të Zi më 5 qershor.

Siç bën të ditur KE-ja, në këtë samit, Costa do të diskutojë mundësitë dhe sfidat lidhur me zgjerimin e BE-së, integrimin gradual, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe stabilitetin, njofton Dukagjini.

“Udhëtimi im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real; po aq reale është edhe mundësia e zgjerimit. Momenti është këtu. Tani është koha për të vepruar”, ka deklaruar Costa.

Gjatë vizitës së tij, Costa do të ndalet në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në Sarajevë qëndron të hënën më 1 qershor, ai do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beçiroviç, Zheljka Cvijanoviç dhe Zheljko Komshiç, si dhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto.

Të martën më 2 qershor, ai do të vizitojë Tiranën, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj dhe studentët e Kampusit të Tiranës të Kolegjit të Evropës.

Më pas, Costa do të udhëtojë në Shkup për t’u takuar me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Të mërkurën më 3 qershor, Costa do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten në detyrë Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe kryetarët e partive opozitare.

Të enjten më 4 qershor, ai do të takohet në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq, kryetaren e Kuvendit Ana Bernabiq dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Më pas, vizita do të përmbyllet në Mal të Zi, ku presidenti Jakov Milatoviq ka ftuar liderët në një darkë në Tivat, me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Më 5 qershor, Costa do të takohet në Tivat me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq, si dhe do të bashkë-kryesojë Samitin BE–Ballkani Perëndimor me temën “Mirëqenia e përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

Back to top button