Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të hënën se inteligjenca tregonte se Rusia po përgatiste sulme të reja ndaj objektivave energjetikë, duke paralajmëruar se sulme të tilla do ta bënin më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare. Paralajmërimi vjen përpara raundit të tretë të bisedimeve të paqes në Gjenevë, të cilat fillojnë të martën me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, shkruan Reuters .
“Raportet e inteligjencës tregojnë se Rusia po përgatit sulme të mëtejshme masive ndaj infrastrukturës energjetike, kështu që ne duhet të sigurohemi që të gjitha sistemet e mbrojtjes ajrore të vendosen siç duhet”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm me video. Ai shtoi se sulmet ruse “janë në zhvillim të vazhdueshëm” dhe përdorin një kombinim armësh, duke përfshirë dronë dhe raketa, gjë që kërkon “mbrojtje dhe mbështetje të veçantë nga partnerët tanë”.
“Rusia nuk mund t’i rezistojë tundimit për t’u shkaktuar një goditje të dhimbshme ukrainasve në ditët e fundit të dimrit”, tha ai. “Partnerët duhet ta kuptojnë këtë. Kjo vlen, para së gjithash, për Shtetet e Bashkuara”.
Negociatat në Gjenevë
Delegacionet ukrainase, ruse dhe amerikane po mblidhen në qytetin zviceran për një raund të tretë bisedimesh që do të përqendrohen për herë të parë në çështjen më të ndjeshme të luftës – fatin e territorit ukrainas të pushtuar nga Rusia.
