Abdul El-Sayed, demokrati që mposhti republikanin Mike Rogers në Michigan, është mjek dhe epidemiolog me profesion, ish-përfitues i bursës prestigjioze Rhodes në Universitetin e Oksfordit dhe njeriu që, në moshën 30-vjeçare, mori përsipër rimëkëmbjen e sistemit shëndetësor të Detroitit pas falimentimit të qytetit.
El-Sayed u shpall fitues të mërkurën në orët e para të mëngjesit, sipas kohës amerikane. Sipas gazetës BridgeDetroit, në atë moment ai printe me gati gjashtë pikë përqindjeje, ndërsa ishin numëruar 85 për qind e votave.
Vendi në Senat ishte i lirë, pasi senatori demokrat në largim, Gary Peters, nuk kishte kandiduar për një mandat tjetër.
“Michigan, ia dolëm!”, u tha ai mbështetësve të tij në Detroit. El-Sayed i falënderoi që i kishin dhënë një shans kandidatit që, sipas tij, kishte më së paku gjasa për të fituar.
Djali i emigrantëve egjiptianë
Abdulrahman Mohamed El-Sayed lindi më 31 tetor 1984 në zonën e Detroitit, në një familje të ardhur nga Egjipti.
Ai u rrit në Detroit dhe në periferitë veriore të qytetit. U edukua nga babai i tij, Mohamed, dhe njerka Jacqueline, me prejardhje nga qarku Gratiot në Michigan.
Ai u diplomua në Universitetin e Michiganit. Gjatë studimeve të mjekësisë fitoi bursën Rhodes, falë së cilës kreu doktoraturën në shëndetin publik në Universitetin e Oksfordit.
Reklamë
Diplomën e mjekësisë e mori në Universitetin Columbia, ku nga viti 2014 ishte profesor asistent në Departamentin e Epidemiologjisë. Sipas revistës Time, 42-vjeçari nuk e ushtroi asnjëherë mjekësinë në praktikë.
Në moshën 30-vjeçare në krye të shëndetësisë së Detroitit
Kryetari i atëhershëm i Detroitit, Mike Duggan, e emëroi në vitin 2015 drejtor ekzekutiv të Departamentit të Shëndetësisë së qytetit. Në këtë mënyrë, në moshën 30-vjeçare, El-Sayed u bë zyrtari më i ri i shëndetësisë në një qytet të madh amerikan.
Detyra e tij ishte të rimëkëmbte një shërbim që ishte privatizuar gjatë falimentimit të Detroitit. Gjatë drejtimit të këtij institucioni, ai kundërshtoi edhe rritjen e emetimeve të dioksidit të squfurit nga rafineria e kompanisë Marathon.
