Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka vendosur duke lejuar administratën e ish-presidentit Donald Trump të zbatojë një politikë që kufizon përcaktimin e gjinisë në pasaporta vetëm në “mashkull” dhe “femër”, bazuar në seksin e caktuar në lindje.
Vendimi i gjykatës i hap rrugë përmbysjes së politikës së administratës Biden, e cila në vitin 2021 kishte futur opsionin “X” për personat që nuk identifikohen si mashkull apo femër, duke u mundësuar qytetarëve transgjinorë të përcaktonin vetë gjininë e tyre pa pasur nevojë për dokumente mjekësore
Në arsyetimin e saj, gjykata theksoi se shfaqja e seksit në pasaportë nuk bie ndesh me parimin e mbrojtjes së barabartë, duke e krahasuar atë me shfaqjen e vendit të lindjes si një fakt administrativ.
Sipas të dhënave, që nga viti 1992 Departamenti i Shtetit u kishte lejuar disa qytetarëve të zgjedhin një shenjë gjinore ndryshe nga ajo e lindjes, ndërsa administrata Biden e kishte zgjeruar më tej këtë praktikë. Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, tha se vendimi “pasqyron pikëpamjen e administratës se ekzistojnë vetëm dy gjini biologjike” dhe se “avokatët e shtetit do të vazhdojnë ta mbrojnë këtë të vërtetë të thjeshtë”.
Kritikët e politikës së re theksojnë se ajo përjashton personat transgjinorë, edhe ata që kanë përfunduar tranzicionin e tyre dhe posedojnë dokumente mjekësore përkatëse, duke i detyruar t’u rikthehen të dhënave të lindjes në dokumentet e udhëtimit.
Një ndër paditësit në këtë rast është Ashton Orr, një burrë transgjinor nga Virxhinia Perëndimore, i cili kishte kërkuar që pasaporta e tij të përmbante shënuesin “mashkull”.
