Ashtu si dje, edhe sot, në Tiranë është zhvilluar protestë, duke e kthyer kështu Shqipërinë sërish në vëmendjen e mediave botërore.
Një nga to është Reuters. Kjo e fundit raporton se mijëra shqiptarë dolën të dielën në rrugët e kryeqytetit, duke hedhur gurë dhe mjete piroteknike, ndërsa kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, ujë dhe plumba gome, në përpjekje për të shpërndarë protestat kundër qeverisë, të udhëhequra nga studentët, të cilat po zhvillohen për të dytën ditë radhazi.
Reuters, raporton edhe se të nxitura nga pakënaqësia lidhur me korrupsionin e pretenduar qeveritar, mungesën e vendeve të punës dhe standardet e dobëta në arsim, protestat kanë tronditur Tiranën që nga mesi i tetorit dhe më pas janë përhapur edhe në qytete të tjera.
Demonstratat shpesh kanë përfunduar në dhunë, me protestues që kanë vënë zjarrin në ndërtesa qeveritare dhe banka, kanë thyer vitrinat e dyqaneve dhe kanë shkulur pllakat e trotuareve për t’i hedhur në drejtim të policisë.




