Sulmet ajrore ruse në qytetet kryesore të Ukrainës si Kievi, Dnipro dhe Kharkiv vranë të paktën nëntë persona dhe plagosën më shumë se 60 të tjerë herët të martën. Kjo është bërë e ditur nga autoritete ukrainase, pas disa ditësh paralajmërimesh se Moska po planifikonte një sulm të madh.
Rusia ka shënjestruar furnizimin me energji dhe infrastrukturën e Ukrainës, ndërsa Ukraina ka shtuar sulmet këtë vit ndaj objekteve ruse të naftës në një luftë që ka zgjatur tashmë më shumë se katër vjet, duke shkaktuar ndonjëherë viktima, por të dyja palët mohojnë se kanë shënjestruar civilët.
Pesë persona u vranë dhe 25 u plagosën në një sulm rus me raketa dhe dronë në qytetin juglindor të Dnipros, tha guvernatori rajonal Oleksandr Hanzha në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Të gjithë të plagosurit ishin në spital në gjendje të moderuar, shtoi ai, duke postuar fotografi të ndërtesave të banimit të shkatërruara, automjeteve të djegura dhe një këndi lojërash për fëmijë të dëmtuar.
Të paktën katër persona u vranë dhe 51 të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë, në të gjithë kryeqytetin e Kievit, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko.
Një sulm i dyshuar me raketa në një ndërtesë 24-katëshe shkaktoi një shembje, duke lënë njerëz ndoshta të bllokuar nën rrënoja. Ndërsa një bllok apartamentesh nëntëkatësh ishte ndër ndërtesat e tjera që u vunë në flakë nga mbetjet e dyshuara të raketave, tha Klitschko.
“Në distriktin e Obolonit, makinat po digjen pasi janë goditur nga mbeturinat e raketave që bien. Ka gjithashtu zjarre në dy lokacione në zona të hapura, përfshirë një pranë një kopshti fëmijësh”, tha Klitschko.
Mijëra banorë vërshuan në sistemin e metrosë së Kievit duke kërkuar strehim herët të martën, thanë dëshmitarët, disa prej të cilëve mbanin sende personale dhe dyshekë, ndërsa zhurma e sistemeve mbrojtëse që po sprapsnin sulmet ruse mbushte ajrin.
