Hungaria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt rikthimit të sundimit të ligjit vetëm dy muaj pas ardhjes në pushtet të kryeministrit të ri, Péter Magyar, ka vlerësuar Komisioni Evropian në raportin e fundit.
Sipas raportit të publikuar nga Komisioni Evropian, qeveria e re në Budapest ka nisur “përpjekje intensive për reforma”, ndërsa disa ndryshime ligjore tashmë janë avancuar. Komisioni e ka cilësuar përparimin si “mbresëlënës”, duke marrë parasysh periudhën e shkurtër që nga ndryshimi i qeverisë.
“Ka një ndryshim shumë radikal krahasuar me raportin e vitit të kaluar. Gjërat kanë lëvizur shumë shpejt në drejtimin e duhur”, tha një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian.
Një nga zhvillimet kryesore ishte vendimi i Hungarisë për t’iu bashkuar Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), institucion që heton dhe ndjek penalisht krimet financiare që prekin buxhetin e Bashkimit Evropian.
Raporti vlerëson përparim edhe në fusha të tjera, përfshirë masat kundër korrupsionit, deklarimin e pasurisë së zyrtarëve dhe punën e Autoritetit të Integritetit.
Qeveria e Magyarit ka ndërmarrë gjithashtu hapa për të shfuqizuar Zyrën për Mbrojtjen e Sovranitetit, një institucion i krijuar gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orbán. Kjo zyrë kishte kompetenca për të hetuar persona dhe organizata të dyshuara për ndikim të huaj dhe ishte kritikuar nga Bashkimi Evropian.
