Presidenti rus, Vladimir Putin kërkon që Ukraina të dorëzojë të gjithë pjesën lindore të Donbasit, të heqë dorë nga ambiciet për t’u anëtarësuar në NATO, të mbetet neutrale dhe të mbajë trupat perëndimore jashtë vendit, kanë thënë për reuters burime të njohura me mendësinë në nivelet më të larta të Kremlinit.
Presidenti rus u takua të premten me homologun amerikan, Donald Trumpin në Alaskë, në samitin e parë ruso-amerikan në më shumë se katër vjet, dhe thuajse i gjithë takimi i tyre treorësh me dyer të mbyllura iu kushtua bisedimeve për atë se si mund të dukej një kompromis për Ukrainën, thanë burimet.
Në thelb, sipas burimeve ruse, Putini ka zbutur kërkesat territoriale që kishte paraqitur në qershor 2024, kur kishte kërkuar që Kievi të dorëzonte të gjithë territorin e katër rajoneve që Moska pretendon se janë pjesë e Rusisë: Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës, që përbëjnë Donbasin, si dhe Kherson dhe Zaporizhzhia në jug.
Në propozimin e ri, presidenti rus ka mbetur i vendosur në kërkesën që Ukraina të tërhiqet plotësisht nga pjesët e Donbasit që ende i kontrollon, thanë tre burime.
Në këmbim, megjithatë, Moska do të ndalonte avancimet në vijat aktuale të frontit në Zaporizhzhia dhe Kherson, shtuan ata.
Rusia kontrollon rreth 88 për qind të Donbasit dhe 73 për qind të Zaporizhzhias dhe Khersonit, sipas vlerësimeve amerikane dhe të dhënave nga burime të hapura.
Moska është gjithashtu e gatshme të kthejë pjesë të vogla të rajoneve të Harkivit, Sumit dhe Dnipropetrovskit që aktualisht kontrollon, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme, thanë burimet.
Putini, po ashtu, qëndron pas kërkesave të mëparshme që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për t’u anëtarësuar në NATO dhe që aleanca ushtarake e udhëhequr nga SHBA të japë një premtim ligjërisht të detyrueshëm se nuk do të zgjerohet më tej në lindje. Ai kërkon gjithashtu kufizimin e ushtrisë ukrainase dhe një marrëveshje që trupat perëndimore të mos dislokohen në territorin e Ukrainës si pjesë e ndonjë misioni paqeruajtës, thanë burimet.
Megjithatë, të dyja palët mbeten larg një marrëveshjeje, më shumë se tre vjet pasi Putini urdhëroi dhjetëra mijëra trupa ruse të hynin në Ukrainë në një pushtim të plotë, që pasoi aneksimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014 dhe luftimet e zgjatura në lindje të vendit ndërmjet separatistëve pro-rusë dhe trupave ukrainase.