Më 12 prill zhvillohen në Hungari zgjedhjet parlamentare më të rëndësishme që nga largimi vullnetar i komunistëve nga pushteti në vitet 1989/90.
Pyetja është nëse kryeministri Viktor Orbán dhe sistemi i tij i qeverisjes mund të mposhten në kutitë e votimit. Për herë të parë që prej vitit 2010, ekziston një shans real për ndryshim pushteti: opozita ka gjasa të fitojë, me në krye partinë konservatore Tisza dhe liderin e saj, rivalin e Orbánit, Péter Magyar.
Në Hungari, këto zgjedhje konsiderohen si një moment kyç në historinë moderne të vendit. Në të njëjtën kohë, ato janë ndër më të rëndësishmet për Evropën gjatë viteve të fundit. Rezultati mund të ndikojë jo vetëm në të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe në nivelin e ndikimit rus në kontinent, por edhe në fatin e mëtejshëm të së djathtës populiste dhe ekstreme në Evropë. Me rastin e këtyre zgjedhjeve, Deutsche Welle u jep përgjigje pyetjeve më të rëndësishme.
A është Orbani një Diktator?
Që nga mesi i viteve 1990, Viktor Orbán e ka shndërruar partinë e tij Fidesz – dikur me emrin e plotë “Lidhja e Demokratëve të Rinj”, sot “Unioni Qytetar Hungarez” – në një parti të disiplinuar rreptësisht sipas modelit të liderit, ku asgjë nuk ndodh kundër vullnetit të tij dhe ku parimi themelor është besnikëria personale ndaj tij. Pas ardhjes në pushtet të Fidesz-it në vitin 2010, e njëjta logjikë u shtri edhe në nivel shtetëror.
Sot, Viktor Orbán ndërhyn deri në detaje të imëta të qeverisjes në vend. Qoftë për rinovimin e një ndërtese, rritjen e pensioneve apo çështje gjeopolitike – kur flet për aktivitetet e qeverisë, Orbán zakonisht përdor vetën e parë njëjës: “Unë bëj një ligj”, “unë e rris pensionin”, “unë bie dakord me presidentin”. Orbán nuk i plotëson të gjitha kriteret klasike të një diktatori – Hungaria vazhdon formalisht të jetë një demokraci parlamentare me zgjedhje të lira – por ai është pa dyshim një autokrat.
Sa herë e ka reformuar Orbani Hungarinë?
Pas fitores së tij të parë zgjedhore me shumicë dy të tretash në pranverën e vitit 2010, Viktor Orbán shpalli të ashtuquajturin “Rend i Bashkëpunimit Kombëtar” (NER). Në aparatin shtetëror, administrativ dhe gjyqësor, si edhe në shërbimin publik, ai ndërmori një ndërrim elitash, duke vendosur besnikë të tij në pozicione kyçe. Hungaria u riorganizua si një shtet tejet i centralizuar.
Në tërësi, Orbán e dobësoi sistemin e kontrollit dhe balancës së pushteteve, duke kufizuar ndjeshëm mundësitë për krijimin e kundërpushtetit.Pjesa më e madhe e mediave të shkruara dhe audiovizive u vu – drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë përmes kompanive dhe fondacioneve pranë Fidesz-it – nën kontrollin e qeverisë; autonomia e universiteteve u shfuqizua dhe një pjesë e konsiderueshme e pasurive shtetërore dhe publike u vendos nën kontrollin e fondacioneve të afërta me Orbánin. Ekspertët e përshkruajnë Hungarinë si një “sistem hibrid” midis demokracisë dhe diktaturës.
Përse shumë hungarezë duan ndryshim pushteti?
Politika ekonomike dhe tatimore e Orbánit favorizon kryesisht klientelën e tij nga shtresa e lartë e klasës së mesme. Gjendja materiale e shumë hungarezëve të tjerë, megjithatë, është përkeqësuar vitet e fundit. Kësaj i shtohet gjendja e dobët e infrastrukturës publike, e sistemit shëndetësor dhe e arsimit, si edhe një pakënaqësi e gjerë për shkak të korrupsionit dhe rasteve të rënda të vetëpasurimit të paligjshëm.
Në të njëjtën kohë, shumë qytetarë në Hungari janë të lodhur nga atmosfera e përhershme e “luftës civile verbale” që krijon Orbáni – për shembull nga paraqitja absurde e Ukrainës si personifikim i së keqes ose nga shpifjet e vazhdueshme ndaj të gjithë kritikëve, të cilët etiketohen si armiq dhe tradhtarë të atdheut.
Përse këto zgjedhje janë të rëndësishme për Europën?
Qëllimi i shpallur i Viktor Orbánit është “pushtimi i Brukselit” dhe shndërrimi i Bashkimit Evropian në një union shtetesh kombëtare politikisht sovrane, të lidhura kryesisht nga interesa të përbashkëta ekonomike. Kryeministri hungarez prej vitesh nxit kundër Bashkimit Evropian dhe, përmes vetove të tij dhe refuzimit për të mbështetur vendime të rëndësishme evropiane dhe të politikës së jashtme, e bllokon aftësinë vepruese të BE‑së. Një fitore zgjedhore e Orbánit do të çonte në një dobësim të mëtejshëm të Bashkimit Evropian; një ndryshim pushteti në Budapest, përkundrazi, do ta forconte sërish BE‑në.
Përse këto zgjedhje janë të rëndësishme për populistët?
Viktor Orbán konsiderohet modeli më i suksesshëm brenda kampit të populistëve konservatorë të djathtë dhe të ekstremit të djathtë në Evropë – dhe njëkohësisht organizatori i tyre më i rëndësishëm. Askush tjetër nga ky spektër nuk ka arritur ndonjëherë një fitore zgjedhore me shumicë dy të tretash dhe nuk ka qeverisur kaq gjatë sa kryeministri hungarez. Po ashtu, askush tjetër nuk ka investuar kaq shumë energji për ta bashkuar dhe forcuar këtë kamp politik në nivel evropian. Për këtë arsye, rezultati i zgjedhjeve në Hungari është edhe një vendim për të ardhmen e populizmit në Evropë.
Përse këto zgjedhje janë të rëndësishme për Rusinë?
