Në përgjigje të sulmeve izraelite, Irani po shqyrton mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, prej ku transportohet njëzet përqind e naftës së tregtuar në botë.
Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më të rëndësishme strategjike në botë, kështu që çdo bllokadë nga Irani do të përbënte një rrezik serioz për Evropën, shkruan Euronews.com.
“Një bllokadë e Ngushticës së Hormuzit është një nga katër opsionet iraniane”, tha eksperti i sigurisë Claude Moniquet në një intervistë me Euronews.com
Ish-oficeri i inteligjencës franceze arrin në përfundimin se kjo do të ishte “një katastrofë për Evropën”. Moniquet rëndit disa nga arsyet si në vijim:
Kërcënim për sigurinë energjetike
Përafërsisht 20% e naftës botërore dhe një pjesë e konsiderueshme e gazit natyror transportohen përmes ngushticës. Evropa importon naftë dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga shtetet e Gjirit si Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Një pjesë e madhe e këtyre importeve rrjedhin përmes ngushticës. Nëse Irani do ta bllokonte ngushticën, çmimet globale të naftës do të rriteshin ndjeshëm dhe Evropa mund të përballet me mungesa energjie, veçanërisht në vendet që varen nga karburantet e Lindjes së Mesme.
