Një 28-vjeçar shqiptar është dënuar nga autoritetet zvicerane pasi tentoi të mashtronte një hetues të infiltruar të policisë, duke i shitur detergjent rrobash në vend të kokainës.
Ngjarja ka ndodhur në stacionin qendror të trenit në Zürich dhe ka përfunduar me arrestimin e të riut vetëm pak minuta pas dorëzimit të “mallit”.
Sipas mediave zvicerane dhe urdhrit penal të Prokurorisë Zürich-Limmat, kontakti mes të dyve ishte vendosur përmes një profili në Facebook me emrin “Hello Halil”. Pas komunikimeve online, palët kishin rënë dakord për shitjen e 50 gramëve kokainë kundrejt shumës prej 2400 frangash zvicerane.
Takimi është zhvilluar më 2 janar, rreth orës 20:25, pranë një binari në stacionin kryesor të trenit në Zürich. I dyshuari i ka dorëzuar hetuesit një çorape ngjyrë hiri, brenda së cilës ndodhej një qese plastike e mbyllur hermetikisht, duke pretenduar se përmbante lëndën narkotike të porositur.
