Kryetari i parlamentit të Iranit tha se ka pasur “përparim” në bisedimet me Uashingtonin, por se mbeten dallime “themelore”. Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi poshtë atë që e quajti “shantazh” nga Teherani, pasi ky i fundit sërish mbylli Ngushticën e Hormuzit.
“Ne jemi ende larg diskutimit përfundimtar”, tha Mohammad Baqer Qalibaf, i cili është edhe negociatori kryesor i Iranit, në një fjalim të transmetuar në televizion herët më 19 prill.
“Kemi bërë përparim në negociata, por ka shumë boshllëqe dhe disa pika themelore mbeten”, shtoi ai, duke iu referuar rundit të parë të bisedimeve ballë për ballë në Islamabad më 11-12 prill.
“Ka disa çështje për të cilat ne këmbëngulim…Edhe ata kanë vijat e tyre të kuqe. Por këto çështje mund të jenë vetëm një ose dy”, shtoi ai, duke shprehur gjithashtu qëndrime të vijës së ashpër, duke pretenduar se Irani ka qenë “fitimtar në terren”, gjatë luftës.
Fati i takimeve të rinovuara ballë për ballë midis Uashingtonit, Teheranit dhe ndërmjetësve pakistanezë dukej i paqartë. Trump më 17 prill përmendi përparim dhe tha se negociatat do të vazhdojnë gjatë fundjavës.
“Do të flasim për Iranin më vonë. Kemi bisedime shumë të mira në zhvillim”, tha Trump.
Megjithatë, mes spekulimeve se palët mund të mblidhen sërish më 20 prill në Islamabad, nuk është shpallur ende një datë e re.
Organi më i lartë i sigurisë kombëtare i Iranit më 18 prill tha se Teherani po shqyrton “propozime të reja”, nga Shtetet e Bashkuara, të dorëzuara përmes shefit të ushtrisë pakistaneze Asim Munir, por ende nuk ka dhënë përgjigje.
Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare theksoi se ekipi negociator i Iranit “nuk do të bëjë as kompromisin më të vogël, tërheqje apo zbutje”, dhe do të mbrojë interesat kombëtare “me të gjithë forcën e tij”.
Këto deklarata vijnë disa ditë përpara skadimit të një armëpushimi dyjavor midis forcave të SHBA-së dhe Izraelit dhe Iranit, që përfundon më 22 prill.
