Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur mangësi të shumta në procesin e prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autoudhëve A7 dhe A6, me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë euro për 36 muaj.
Sipas ZKA-së, procedura ishte iniciuar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese dhe, për shkak të vonesave, ishte zgjatur për rreth pesë muaj. Për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve, Ministria kishte lidhur katër kontrata të negociuara, për të cilat deri në korrik 2026 ishin paguar rreth 2.8 milionë euro.
Përdorimi i këtyre procedurave kishte kufizuar konkurrencën dhe kishte ofruar më pak transparencë krahasuar me procedurën e hapur.
Procesi i auditimit ka evidentuar mangësi edhe në vlerësimin e ofertave, ku Komisioni i Vlerësimit në disa raste nuk kishte kërkuar sqarimet e nevojshme lidhur me disa paqartësi teknike, formale ose metodologjike, sqarimi i së cilave nuk do ta ndryshonte përmbajtjen substanciale të ofertës. Kjo kishte rritur rrezikun që procesi i vlerësimit të mos siguronte trajtim plotësisht të barabartë të operatorëve ekonomikë”.
Gjithashtu auditimi ka konstatuar se Ministria nuk kishte analizuar të gjitha kombinimet e mundshme të ofertave të përgjegjshme për katër llotet. Kombinimi alternativ i identifikuar nga auditimi do të kishte rezultuar me një çmim të përgjithshëm për njësi rreth 15% më të ulët sesa kombinimi i kontraktuar. Si pasojë, Ministria nuk kishte arritur të siguronte kombinimin më ekonomik të ofertave dhe kishte humbur mundësinë për realizimin e më shumë shërbimeve brenda buxhetit të përcaktuar”



