Në legjislacion përcaktohet se çdo stacioni i shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) një njësi operuese dhe inspektuese që ngrihet në çdo bashki, duhet të zbatojë standardin e të pasurit 1 zjarrfikës profesionist për 1,500-2,000 banorë.
Në total në të gjitha bashkitë në rang vendi janë të punësuar 1,300 zjarrfikës sipas të dhënave të Institutit të Bashkive të Shqipërisë. Në raportin vjetor për “Qeverisja vendore në Shqipëri- Raport mbi situatën aktuale 2024” Institutit për Bashkitë te Shqipërisë evidenton se numri mesatar i zjarrfikësve në nivel kombëtar arrin 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë, ndërsa numri i automjeteve zjarrfikëse është 0.9 për 10,000 banorë.
Kjo tregon se numri i zjarrfikësve të punësuar për 1,500 banorë është rreth 25% nën nivelin e kërkuar nga ligji “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Bashkive të Shqipërisë Agron Haxhimali tha për Monitor se jo vetëm që numri i zjarrfikësve është nën nivelin e përcaktuar në ligjin e vitit 2015, por edhe numri i tyre rezulton se ka një shpërndarje të pabarabartë, ku bashkitë e vogla kanë më shumë zjarrfikës dhe automjete zjarrfikëse për frymë sesa bashkitë e mëdha.
“Por kjo mund të lidhet me shpërndarjen e popullsisë në zona rurale, ku distancat janë më të mëdha dhe infrastruktura rrugore më e vështirë. Ndërsa Tirana ka numrin më të ulët të zjarrfikësve dhe automjeteve zjarrfikëse për frymë, gjë që mund të shpjegohet me përqendrimin e popullsisë dhe infrastrukturën më të zhvilluar rrugore në kryeqytet”, thotë ai.
Po ashtu deri në fund të vitit 2018, në çdo bashki u ngritën stacione zjarrfikëse me një personel minimal prej 14 punonjësish. Numri i stacioneve të zjarrfikësve është 70.
Në kuadër të sfidave të vazhdueshme që ka Shqipëria për mbrojtjen nga zjarri, drejtori ekzekutiv i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali, theksoi rëndësinë e modernizimit të mjeteve operative dhe forcave zjarrfikëse.
Ai komentoi situatën aktuale të menaxhimit të zjarreve në disa bashki, përfshirë Delvinën dhe Gramshin, ku janë angazhuar jo vetëm forcat zjarrfikëse vendore, por edhe helikopterë dhe forca të Armatosura Shqiptare dhe të huaja.
“Në terren për shuarjen e zjarreve, sidomos në Bashkinë Delvinë dhe Gramsh, janë angazhuar forcat zjarrfikëse vendore, automjetet zjarrfikëse të bashkive, si dhe helikopterë të Forcave Ajrore shqiptare dhe të huaja për zonat e vështira. Pjesë shumë e rëndësishme ka qenë gadishmëria e qytetarëve dhe vullnetarëve.”
Sipas Haxhimalit, edhe pse ka pasur përpjekje të koordinuara, infrastruktura zjarrfikëse në këto bashki mbetet e kufizuar, me mungesë mjeteve moderne dhe nevojë për më shumë personel të trajnuar.
“Në të dy bashkitë janë dhënë urdhra evakuimi për disa fshatra dhe është koordinuar ndërhyrja mes strukturave vendore e qendrore për frenimin e flakëve.
Megjithatë, infrastruktura zjarrfikëse në këto bashki është e kufizuar, me pak mjete moderne dhe nevojë për më shumë personel të trajnuar, çka e vështirëson reagimin ndaj emergjencave të përmasave të mëdha.
Në këtë rast duhet theksuar kontributi shumë i rëndësishëm i avionëve nga mekanizimi evropian e mbrojtjes.
Kjo tregon edhe një herë se sa rëndësi merr investimi në mjete të tilla. Por sistemi i mbrojtjes civile kërkohet të jetë më vital dhe i integruar, në burime, teknologji, infrastrukturë, organizime, edukim ndërgjegjësim etj”.
Në raportin e fundit të Bankës Botërore mbi gatishmërinë e Shqipërisë për shuarjen e zjarreve, u theksua se vendi ka kapacitete të kufizuara për të shuar zjarret në zona të largëta, për shkak të mungesës së pajisjeve specifike si kamerat termike dhe automjetet e specializuara për zonat malore dhe të thella.