Protestuesit që u mblodhën të premten mbrëma në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kundërshtim të dënimit të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në orët e vona të mbrëmjes kanë vazhduar protestën drejt zyrave të EULEX-it.
Protesta e së premtes kishte nisur në orën 21:00 në sheshin “Skënderbeu”, nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa afër mesnatës një pjesë e protestuesve janë nisur drejt objektit të EULEX-it.
Kjo është nata e tretë me radhë që qytetarët protestojnë në Prishtinë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Protestat pranë EULEX-it kanë nisur që të mërkurën, menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan ish-presidentin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.




