Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e 298-të të hënën, ka nominuar kandidatin Zejnullah Gashi për Kryeprokuror të Shtetit. Ky kandidat i propozohet presidentit të shtetit për dekretim.
Gashi mori shumicën e thjeshtë të votave, pra pesë vota gjithsej. Kurse, Rafet Halimi mori një votë dhe kandidatët tjerë asnjë.
Pas procesit të votimit, KPK-ja propozoi për dekretim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashin.
Në garë janë pesë kandidatë dhe atë: Atdhe Dema , Naim Abazi , Rafet Halimi , Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, kryesuesi Arian Gashi tha se Paneli Vlerësues në përkrahje të Sekretariatit ka dorëzuar listën e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit. Më pas, Paneli ka hapur aplikacionet përfshirë dokumentet e mbledhura nga Sekretariati.
Gashi shtoi se Paneli ka konstatuar se pesë kandidatë kanë plotësuar kriteret për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Lista është konfirmuar nga KPK-ja.
Më pas, kryesuesi shtoi se janë publikuar koncept-dokumentet e secilit kandidat.
Ai shtoi se intervistat janë monitoruar nga partnerët ndërkombëtarë dhe shoqëria civile, ku edhe është bërë publike ftesa.
Procesi i intervistimit, Gashi tha se është zhvilluar nga Paneli në mënyrë të pavarur, dhe rezultoi se kandidatët u poentuan në këtë mënyrë: Zejnullah Gashi 91.6 pikë, Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.
Pas kësaj, ai tha se kandidatët janë njoftuar me të drejtën e ankesës dhe pas kësaj procedure, është përgatitur raporti final, me të cilin është rekomanduar lista me kandidatët: Zejnullah Gashi, Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi dhe Shqipdon Fazliu.
Pas këtyre sqarimeve, Këshilli kaloi në votim të fshehtë. Nga ky votim, abstenoi anëtari Milot Krasniqi, i cili tha se po abstenon për shkak të qëndrimeve që ka pasur lidhur me këtë proces.
Pas zhvillimit të procesit të intervistimit më 1 korrik 2026 , Paneli Vlerësues publikoi rezultatet , sipas të cilave kandidatët u poentuan në këtë mënyrë: Zejnullah Gashi 91.6 pikë, Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.
