Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, si dhe ankesën e përbashkët të mbrojtësve të të akuzuarit Andi Pajaziti. Me këtë vendim, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë (P.nr.1259/24) të datës 20 mars 2025.
Sipas këtij aktgjykimi, Pajaziti ishte liruar nga akuza për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, pasi gjykata kishte konstatuar se ekzistojnë rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë penale, përkatësisht se veprimet e tij ishin në kuadër të mbrojtjes së nevojshme.
Rasti lidhet me ngjarjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku mbeti i vrarë K.R.
Megjithatë, Pajaziti ishte shpallur fajtor për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, për çka ishte dënuar me dy vjet burgim. Në këtë dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa masa e paraburgimit ndaj tij ishte ndërprerë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohej për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
