Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi sot në rrugën “Shkupi” në Prishtinë.
Në lidhje me tragjedinë ka reaguar futbollist i KF Prishtina e Re, Arber Prekazi, i cili ka treguar se ishte dëshmitar i aksidentit dhe se kishte tentuar t’u ofronte ndihmë të aksidentuarve.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka rrëfyer momentet e rënda që ka përjetuar, duke thënë se aksidenti ndodhi vetëm rreth 30 metra larg dy spitaleve private dhe rreth 150 metra nga QKUK-ja dhe Emergjenca.
“Sa e lirë qenka jeta në Kosovë… Sot nuk pashë thjesht një aksident. Sot pashë se sa shpejt mund të ndryshojë jeta”, ka shkruar futbollisti.
Ai ka treguar se në momentin e aksidentit ndodhej për vizitë te një mik në një spital privat dhe nga dritarja kishte parë përplasjen.
Reagimin e plotë e gjeni në vijim:
Sot isha dëshmitarë i një AKSIDENTI ME FATALITET , 30 metra afër 2 spitaleve PRIVATE dhe 150 metra larg Emergjencës .
(Shkrim me shkas edhe për shokët që nuk i kam më)
Sa e lirë qenka jeta në Kosovë…
Sot nuk pashë thjesht një aksident.
Sot pashë se sa shpejt mund të ndryshojë jeta!
Isha për vizitë te një shok në një spital privat. Nga dritarja, krejt rastësisht, pashë një aksident që ndodhi në pak sekonda poshtë spitalit !
Nga githë ata nerëz që kalonin aty po shihja vetëm 2 njerëz rreth të aksidentuarve , të tronditur e të hutuar , nuk dinin si të vepronin .
Askush nuk po u jepte të aksidentuarve thuaja as ndihmën minimale ! (Nuk dinin)
Nuk mendova gjatë , si sportist që jom, vrapova poshtë me aq pak njohuri për ndihmën e parë sa kam, vetëm me një mendim në kokë:
“Ndoshta mundem me i ndihmu dikujt.”
Sapo arrita poshtë te recepsioni i spitalit, në vrap e sipër, ju thashë vajzave që “20 metra prej spitalit ka ndodhë një aksident! Lajmëroni ndonjë doktor, ju lutem!”
Dhe vazhdova me vrap.
Kur mbërrita te veturat, pashë dy njerëz që po luftonin për jetën.
Njëri ishte në sekondat e fundit…
Tjetri nga dhimbjet rënkonte e cdo minut mund të ishte i fundit për të !
Dhe unë, me aq sa dija, fillova me bë diçka.
Sepse në ato momente nuk ki kohë me mendu shumë.
Nuk ke kohë me pritë.
Nuk ke kohë me thënë “dikush tjetër ka me ardhë”.
Sepse ndonjëherë, ai “dikush tjetër” mund të vijë 5 minuta vonë.
E pesë minuta, në ato momente, mund të jenë një jetë.
Më vonë dëgjova diçka që më tronditi edhe më shumë.
Dy persona me “bexha” të doktorëve kishin kaluar aty pranë. Kishin thirrur ndihmën e shpejtë, por nuk kishin dhënë ndihmën e parë.
Nuk po e shkruaj këtë për të gjykuar apo fajësuar dikë.
Sepse sot nuk dua të merrem me gishtin që duhet drejtuar.
Sot dua të flas për diçka shumë më të madhe:
Për neve e për njerëzillëkun tonë.
A jemi bërë aq indiferentë sa të shohim
njerëzit duke luftuar për jetën dhe të mendojmë: “Le të merret dikush tjetër.”

