Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025”, i cili vlerëson nivelin e transparencës buxhetore në 38 komunat e Kosovës përmes një metodologjie të standardizuar.
Për vitin 2025, mesatarja e pikëve të Indeksit të Transparencës Buxhetore ka arritur në 64.5 pikë, krahasuar me 61 pikë në vitin 2024. Gjatë këtij viti, 10 komuna kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh, ndërsa gjysma e komunave (19 nga 38) kanë grumbulluar së paku 89.5 pikë, duke dëshmuar një përmirësim të përgjithshëm të transparencës buxhetore. Në anën tjetër, gjashtë komuna – Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani – nuk kanë arritur të grumbullojnë asnjë pikë.
Gjatë vitit 2025 janë publikuar gjithsej 240 dokumente buxhetore, përfshirë raportet financiare dhe dokumentet mbështetëse të politikave buxhetore, siç është Rregullorja për ndarjen e subvencioneve. Dokumentet më të publikuara kanë qenë raportet financiare të buxhetit, me gjithsej 133 dokumente.
Në kuadër të procesit të planifikimit të buxhetit për vitin 2026, komunat kanë organizuar gjithsej 119 dëgjime buxhetore. Nga 38 komuna, 28 kanë mbajtur së paku katër dëgjime me qytetarët, një komunë ka organizuar tri dëgjime, një tjetër dy dëgjime, ndërsa një komunë vetëm një dëgjim buxhetor.

