Një nënë e një vajze, që vuan nga fibroza cistike, i ka drejtuar një letër publike ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes së cilës kërkon sigurimin e terapisë Trikafta (Kaftrio), për pacientët me këtë sëmundje në Kosovë.
Ajo, e cila thekson se është edhe bashkëpartiake e ministrit, ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë ta trajtojë me urgjencë kërkesën e Shoqatës së Fibrozës Cistike, duke rikujtuar se kjo çështje është ngritur disa herë përmes kërkesave të vazhdueshme, por ende nuk ka marrë zgjidhje.
Në letrën e saj, Vlora Vuqiterna thotë se mungesa e kësaj terapie po i detyron shumë familje të mendojnë për largimin nga Kosova, jo për dëshirën për të migruar, por për shkak të mungesës së mundësive për trajtimin e fëmijëve të tyre.
“Frymëmarrja nuk është luks. Është e drejtë e çdo fëmije! Fëmijët tanë kanë nevojë të marrin frymë!”, thuhet në mesazhin e saj drejtuar ministrit Vitia.
Vuqiterna ka theksuar se barnat dhe trajtimet që tashmë janë të qasshme në shtetet e rajonit duhet të sigurohen edhe për pacientët në Kosovë, duke kërkuar që fëmijët të mos kenë më pak mundësi për trajtim vetëm për shkak të vendit ku kanë lindur.
Në letër, ajo pranon se kostoja e terapisë Kaftrio është e lartë dhe se mund të paraqesë sfidë për buxhetin e shëndetësisë, por konsideron se shëndeti i fëmijëve duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të institucioneve.


