Këshilli Gjyqësor i Kosovës pritet të marrë të enjten vendimin për kryetarin e Gjykatës Administrative.
Çështja është përfshirë në rendin e ditës të mbledhjes së 372-të të KGJK-së, ku janë gjithsej 18 pika për shqyrtim.
Për drejtimin e kësaj gjykate janë intervistuar dy kandidatë, Kreshnik Kaçiu dhe Liridona Ajeti-Kajtazi.
Vlerësimi i kandidatëve është bërë nga një komision i përbërë nga Afërdita Bytyqi, në cilësinë e kryetares, si dhe Bashkim Hyseni e Fahret Vellija, si anëtarë. Në cilësinë e anëtares rezervë është Ivana Milenkoviq.
Procedura e përzgjedhjes zhvillohet në bazë të Ligjit për Gjykatën Administrative dhe Rregullores 12/2022, e cila përcakton procedurat për zgjedhjen, emërimin, pezullimin dhe shkarkimin e kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës.
Pas intervistimit, Komisioni për Vlerësim shqyrton dhe vlerëson kandidatët, ndërsa rezultatet përfundimtare u komunikohen atyre. Pas kësaj, parashihet edhe mundësia e ankesës.
