Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një përmbledhje të vizitave zyrtare në Paris dhe Dublin, ku gjatë javës ka zhvilluar një sërë takimesh dhe aktivitetesh me përfaqësues të lartë shtetërorë, diplomatë dhe personalitete ndërkombëtare.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në Paris është pritur dy herë në Pallatin Élysée, fillimisht në mbrëmjen e organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe më pas në një takim bilateral.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, ai është takuar edhe me presidentin e Senatit, Gérard Larcher, si dhe me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Komisionit për Çështje Evropiane në Asamblenë Kombëtare të Francës.
Kurti ka marrë pjesë edhe në Forumin e Paqes në Paris, ku ishte pjesë e panelit “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, ndërsa ka marrë pjesë edhe në lansimin e Deklaratës Politike për Fëmijët.
Në kuadër të kësaj vizite, ai ka zhvilluar takime me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen, si dhe me kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire.
Një pjesë e agjendës së tij në Francë i është kushtuar edhe teknologjisë, inovacionit dhe arsimit. Kurti ka vizituar qendrën STATION F, të cilën e ka përshkruar si kampusin më të madh në botë për startup-e, ndërsa ka zhvilluar diskutime edhe me studentë në Paris School of International Affairs – Sciences Po.
Ai ka bërë të ditur se është takuar edhe me profesorin Philippe Aghion, i cili vitin e kaluar është nderuar me Çmimin Nobel për Ekonomi, si dhe ka zhvilluar intervista për mediat franceze RFI, Le Monde dhe France24.




