Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nesër do të udhëtojë për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin (World e-Parliament Conference). Konferenca do të mbahet më 17 dhe 18 nëntor në Parlamentin Evropian dhe organizohet nga Unioni Ndërparlamentar dhe Parlamenti Evropian.
Sipas njoftimit, konferenca mbledh deputetë, sekretarë të përgjithshëm dhe zyrtarë të lartë të parlamenteve nga e gjithë bota. Tema qendrore e këtij edicioni është forcimi i demokracisë dhe i institucioneve parlamentare përmes transformimit digjital, me theks të veçantë në përdorimin e inteligjencës artificiale.




