Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar paralajmërimet e ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli për një dimër të vështirë, duke thënë se kjo mund të paralajmërojë rritje të faturave të energjisë elektrike nga 15 deri në 20 për qind.
Në seancën plenare të Kuvendit, deputetja Haxhiu ka thënë se qytetarët duhet të përgatiten edhe për fatura më të larta, pavarësisht nëse do të kenë energji elektrike të mjaftueshme.
“E keni dëgjuar ministren Rizvanolli duke thënë edhe këtu në sallën e Kuvendit, në seancën e kaluar, se do ta kemi një dimër të vështirë. Dimër të vështirë dhe një situatë jo të lehtë, kjo nuk është asgjë tjetër, vetëm një paralajmërim për një rritje, sa unë jam informuar, uroj mos të jetë ashtu, 15 deri në 20 për qind. Pra, rritje në faturat e qytetarëve. Por, mos të harrojmë diçka. Është dimri që po vjen dhe koha kur na vijnë familjarë prej diasporës. Të dashur, njerëzit tanë që jeni kudo në diasporë, përgatituni për faturat, edhe nëse nuk keni rrymë, por faturat t'i keni me rritje. Por mbi të gjitha, klimat e vendosura që ministrja shumë herë ka thënë 'Blini ato klima', tash ato normal që nuk ngrohin, për shkak se faturat janë aty”, tha ajo, raporton Kosovapress.
Haxhiu ka kritikuar edhe trajtimin e faturimit të energjisë elektrike në komunat veriore, duke pretenduar se qytetarët serbë atje nuk janë përballur me rritje të faturave, ndryshe nga qytetarët në pjesët e tjera të vendit. Ajo ka rikujtuar edhe ndërprerjen e pagesave të energjisë elektrike në atë pjesë të Kosovës.
“Por një gjë mos ta harroj, atë fjalën që e tha ministrja pak më herët: Mos harroni qytetarët e vendit. Faturat që u shkojnë qytetarëve serbë në komunat veriore kurrë nuk i kanë rritur. Asnjëherë. Asnjëherë. Pra, qytetarët e komunave veriore, po flas për qytetarët serbë, nuk ka pasur rritje, ka pasur dikur njerëz që i kanë ndalë zot këtij vendi dhe ia kanë ndalur ato pagesat”, ka deklaruar Haxhiu.




