Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, gjatë seancës së Kuvendit ku po diskutohet Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, ka kritikuar gjendjen institucionale dhe ritmin e reformave në vend.
Tahiri ka thënë se raporti i Komisionit Evropian nuk duhet të shihet si dokument i ndonjë partie politike, por si një vlerësim i progresit të Republikës së Kosovës.
“Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 nuk është dokument i opozitës, nuk është dokument i PDK-së, i LDK-së, i Aleancës. Nuk është shkruar për t’i shërbyer interesit të asnjë partie politike, është një vlerësim i progresit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se gjetjet e raportit duhet të trajtohen me seriozitet dhe përgjegjësi, veçanërisht kur institucionet evropiane evidentojnë mangësi në demokraci, drejtësi, ekonomi dhe funksionimin e institucioneve.
Sipas Tahirit, përgjigjja e një qeverie serioze ndaj këtyre vlerësimeve duhet të jetë reflektimi dhe marrja e përgjegjësisë, e jo arsyetimi apo propaganda.




